Biografia

Rifat Gjota-front

Prof.dr. Rifat Gjota është zbulues shqiptar. Shkencëtari dhe pedagogu i mirënjohur është lindur në Pejë më 5 maj 1939 në një familje të njohur zejtare. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në vendlindjen e vet. Në vitin 1965 ka diplomuar në Fakultetin Elektromakinerisë -Dega e Elektroteknikës  të Universitetit të Shkupit. Në vitin 1977 ka magjistruar në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Zagrebit, kurse në vitin 1985 ka doktoruar në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës. Shume vite ka punuar si profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Prishtinë.

Profesor Gjota punoi mbi njëzet vjet në zbulimin e elektromotorit me veti shumë më të përparuara se ai i gjertanishmi. Elektromotori i ri kursen energjinë elektrike në përqindje të konsiderueshme. Zbulimet e veta i regjistroi (patentoi) në Amerikë me emrin “US Patent 4710661 – Winding arrangement of a stator and/or rotor of a three-phase generator or electromotor with improved performances”, kurse mënyra e ndërtimit të këtyre elektromotorëve quhet “rifatim”.

Zbulimi i fushave elektromagnetike rrotulluese komplementare, nga ana e profesor Rifat Gjotës e ka plotësuer edhe më tutje shkencën e fushave elektromagnetike rrotulluese. Kështu është hapur një shteg i ri për mënyrën e pështjelljes së makinave elektromagnetike rrotulluese. Esenca e zbulimit të prof.Rifat Gjotës qëndron në plotësimin e pështjellave paraprake me  pështjella  shtesë të çfazuar për 90 shkallë në hapësirë e kohë. Me këtë arrihet zvogëlimi i forcave të harmoniqeve të kundërta, dmth. se lakorja e fushës rrotulluese i afrohet më tepër ideales. Kjo në praktikë sjell kursim të energjisë mbi 5%.

Motori i parë në tension të lartë 6kV me fuqi 400 kW është duke punuar në Elektroekonominë e Kosovës. Edhe shumë motorë të tjerë janë të ripshtjellur(rifatuar) dhe punojn në KEK dhe në shumë ndërmarrje dhe fabrika të Kosovës.

Në vitin 2005 botoi librin “Makinat Elektrike Komplementare-Komplekse“

Puna e profesor Rifat Gjotës në lëmin e Sferizimit është gjithashtu e rëndësishme, por edhe një hap i guximshëm drejt hapjes së një kapitulli të ri në studimet matematikore.

Me pikpamjen e re nga sferizmi, profesor Gjota shpreson se do të mundësohet që edhe shkencat e tjera, ta zgjidhin problemin e pakufishmërisë, asimptotave vertikale, horizontale, të pjerrëta, etj. të cilat tash e tutje marrin një formë të re, sepse ligjshmëritë që i kanë vërejtur në rrafsh (2D), tashti duken në hapsirë respektivisht në sferë(3D)  vështrohen nga një kënd i ri dhe përfitohen nocione të reja.

E vërteta është se në literaturë, edhe nga ana e filozofëve të mëdhenj, ka qenë i padefinuar kuptimi i pakufishmërisë,vazhdueshmërisë e interpretimit të asimptotave dhe pjesës imagjinare. Ata nuk kanë arritur ta lidhin fillimin dhe mbarimin e kohës dhe hapësirës. Me anë të shikimit dhe mendimit më të ri në bazë të sferizmit arrihet një formë e re e definimit të pakufishmërisë, si edhe e kuptimit të madhësive dhe është bërë interpretimi dhe paraqitja e pjesës imagjinare të grafikut të funkcionit.